Pas 27 vitesh, Albulena Haxhiu kthehet në Kondovë, aty ku u strehua si refugjate lufte!
Nga fëmijë refugjate në Kosovë, te kryetarja e Kuvendit – rikthehet në vendin që e priti në ditët më të vështira.
Pas 27 vitesh, Albulena Haxhiu është kthyer në Kondovë të Shkupit, aty ku kishte qëndruar si fëmijë refugjate gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një postimi në Instagram, Haxhiu ka ndarë fotografi nga takimi me familjen Sinani, të cilën e ka falënderuar për mikpritjen dhe solidaritetin e treguar në ditët më të vështira të luftës.
“U ktheva për t’u çmallur, për të kujtuar dhe për të falënderuar familjen Sinani dhe shqiptarët e tjerë të Maqedonisë së Veriut, të cilët, në ditët më të vështira të luftës, na i hapën dyert e shtëpive dhe zemrat e tyre”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shprehur mirënjohje të përjetshme për solidaritetin, bujarinë dhe humanizmin e familjeve shqiptare që strehuan refugjatët nga Kosova.
Sot, pas më shumë se dy dekadash, rikthimi i saj në Kondovë rikthen në kujtesë një periudhë të vështirë, kur shumë familje në Maqedoninë e Veriut hapën dyert e shtëpive të tyre për shqiptarët e Kosovës që po largoheshin nga lufta.
Një histori që dëshmon se mikpritja dhe solidariteti nuk harrohen, edhe pas 27 vitesh./Shprehja