Pas rreth dy viteve në arrati, vetëdorëzohet ish-drejtori i Llotarisë
Vetëdorëzohet edhe përparim Bajrami, ish drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, i cili njëkohësisht është edhe i akuzuari i parë në hetimin për keqpërdorimet në “Lotarinë Shtetërore”. Pas rreth dy vitesh në arrati, pasi kërkohej me fletëarrest ndërkombëtarë ai u paraqit në pikën kufitare në Bllacë, sot herët në mëngjes, në të njejtën mënyrë si ish zëvendës kryeministri dhe njëkohësisht i dyshuar në këtë rast Artan Grubi. Më pas u shoqërua në burgun e Shutkës.
MPB
“Sot në orën 05:35, në Pikën Kufitare Bllacë e Poshtme për hyrje në RMV është paraqitur Përparim Bajrami (33), i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar sipas urdhrit të PTHP Shkup. Personi është privuar nga liria dhe është shoqëruar në Institucionin Ndëshkimor-Përmirësues Burgu Shkup”.
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski njoftoi se Bajrami gjatë ditës del para gjykatësit të procedurës paraprake. Ndërsa përshëndeti faktin se të gjithë personat që janë në arrati po kthehen dhe po ballafaqohen me drejtësinë.
Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme
“Për personin në fjalë është vendosur masa më e rreptë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Paraparake. Gjatë ditës ai del para gjykatësit të procedurës paraprake. Është mirë që po shohim se pak nga pak të gjithë ata që ishin në arrati po sigurohen dhe do të ballafaqohen me ligjin. Ata do të kenë mundësi ta dëshmojnë pafajësinë e tyre, ndërsa Prokuroria do të ketë detyrën të dëshmojë fajësinë e tyre”.
Fletëarresti për Përparim Bajramin është nënshkruar në dhjetor të vitit 2024.
Më 23 shkurt të këtij vitit, edhe ish zëvendës kryeministri nga radhët e BDI-së Artan Grubi, i cili për më shumë se 1 vit ishte në arrati, u paraqit në kufiri me Kosovën dhe më pas u arrestua dhe u dërgua në burgun e Shutkës. Mirëpo Gjykata Penale e Shkupit e zëvendësoi masën e paraburgimit me arrest shtëpiak për shkak të siç thanë informacioneve të klasifikuara nga Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Ministria e Punëve të Brendshme, të cilat alarmuan se siguria dhe jeta e Grubit ishin seriozisht të rrezikuara nëse qëndronte në qeli.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/