Për shkak të vapes, avioni me kombëtaren afrikane bën ulje të detyruar
Momente paniku në ajër për skuadrën e Gambia-s, që po udhëtonte për në Bregun e Fildishtë, ku nis Kupa e Kombeve të Afrikës. Shkak është bërë vapa e madhe dhe mungesa e ajrit në avionin që udhëtonte kombëtarja afrikane.
“Duhej të udhëtonim me një avion të vogël nga Gambia për në Bregun e Fildishtë, por menjëherë vumë re që aty ishte shumë vapë. Na konfirmuan se situata do të përmriësohej pasi të ngriheshim në qiell”, thuhet në një komunikatë.
“Por ndodhi e kundërta, pasi vapa e tmerrshme u shoqërua me mungesën e oksigjenit. Shumë persona patën dhimbje koke dhe marrje mendsh. Shumë të tjerë i zuri një gjumë i thellë. Gjithsesi, pasi u ngjitëm në ajër situata u përkeqësua”, thuhet më tej.
“Piloti nuk pati alternativë tjetër veçse të bënte ulje të detyruar në aeroportin nga ku ishim nisur, pas vetëm 9 minutash fluturim. Shyqyr që ia doli mbanë, pasi edhe ai vuante dhe do të kishim patur pasoja katastrofike nëse do të vazhdonim, pasi situata do të ishte rënduar edhe më shumë”, thanë drejtuesit e Federatës.