Përballja e Policisë me të moshuarin që gjuajti me kallashnikov në Shkodër
Policia e Shtetit në Shqipëri e ka arrestuar një të moshuar nën dyshimet se ka gjuajtur me armë nga ballkoni i banesës së tij dhe më pas i ka kërcënuar zyrtarët policorë me vrasje.
Sipas njoftimit, gjatë intervenimit, i moshuari i ka kërcënuar me kallashnikov pjesëtarët e Policisë.
“Autori nuk iu është bindur thirrjeve të Policisë, por është futur në banesë, ka mbyllur derën dhe ka kërcënuar për vrasje, punonjësit e Policisë, në rast se do të futeshin në banesë. Ndodhur në këto kushte, në ndihmë të Policisë vendore, kanë shkuar Forcat Kombëtare të Sigurisë. Pas ndërhyrjes së specializuar kanë bërë të mundur neutralizimin dhe vënien në pranga të shtetasit F. H., 83 vjeç, banues në Shkodër”- thuhet në njoftim.
Ndërsa është bërë e ditur që në banesën e tij, Policia ka sekuestruar 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe municion luftarak.