Përpos Armando Brojës, Interi kërkon sulmuesin e Xhironës dhe Portos
Lautaro Martinez e Markus Turam, nuk mjaftojnë për sulmin e Interit, me zëvendësuesit, Marko Arnautoviç e Aleksis Sançez, që janë të “pavlefshëm” në fushën e blertë, ku nuk po arrijnë dot të ambientohen te skuadra “zikaltër”, duke i detyruar këta të fundit të mendojnë për ndërhyrje në merkato.
Në listën e Bepe Marota-s janë dy emra cilësorë. I pari siç dihet prej kohësh është “bomberi” iranian i “Dragonjve” të Porto, Mehdi Taremi, i cili, siç bëri me dije edhe manaxheri i tij ëndërron të veshë një ditë fanellën “zikaltër”, mirëpo “veterani” i sulmit nuk është i vetmi që pëlqehet nga drejtuesit e nënkampionëve të Evropës.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, në “radarët” e Interit ka hyrë “bomberi” ukrainas, Artem Dovbik, i cili deri më tani ka shkëlqyer me skuadrën e Xhirona-s, ku padyshim është një nga protagonistët e ekipit, me plot 7 gola e të shënuar e 6 të asistuar, në 14 përballjet e regjistruara deri më tani me spanjollët.
Megjithatë, pavarësisht dëshirës së madhe të “zikaltërve” për të afruar një lojtar kualitativ, si Dovbik, problem pritet të mbetet kontrata e 26-vjeçarit, e cila skadon në verën e vitit 2028 dhe me një vlerë kartoni fillestare prej 15 milionë euro pritet që “bomberi” t’i kushtojë kujtdo skuadre që interesohet për të minimalisht 40 milionë euro, shifër kjo që rrallëherë paguhet nga Interi.