Peticion – Tetë mijë denarë për të arritur në punë, qytetarët kërkojnë zgjidhje
Rritja e çmimeve të biletave të transportit ndërurban ka revoltuar qytetarët. Bileta më të shtrenjta mujore paguajnë qytetarët e Gostivarit. Përkatësisht, qytetarët e Gostivarit që punojnë apo studiojnë në Shkup, nga 1 shtatori duhet të paguajnë 8000 denarë për biletë mujore të transportit ndërurban për të udhëtuar në linjën Gostivar-Shkup. Nëse bëjmë llogari me pagën minimale, kjo i bie se 30% të pagës shkojnë vetëm për transport. Biletat janë shtrenjtuar edhe në qytetet e tjera. Bileta mujore e linjës Tetovë-Shkup është rritur nga 5,500 në 6,500 denarë. Në relacionin Kumanovë-Shkup, bileta mujore kushton 6,000 denarë. Një grup qytetarësh përdorues të transportit ndërurban, kanë dërguar peticion ku kërkojnë nga institucionet kompetente të shqyrtohet rritja e fundit të çmimeve të transportit ndërurban dhe publikisht të shpjegohet justifikimi i saj.
PETICIONI I QYTETARËVE
“Të publikojnë kriteret ekonomike dhe kriteret ligjore sipas të cilave formohen çmimet. Të kontrollojnë a respektohen detyrimet ligjore për çmimet dhe informimin në kohë të pasagjerëve. Të shqyrtohet konkurrenca e linjave më të shpeshta ndërurbane. Të sigurojnë transport publik ndërurban funksional dhe të qasshëm, duke përfshirë mundësinë për bileta të subvencionuara dhe familjare.Të shqyrtohet dhe të harmonizohet sistemi i kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit, në mënyrë që shpenzimi real i udhëtimit për dhe nga vendi i punës të kompensohet në mënyrë të përshtatshme”.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot para gazetarëve se do ta shqyrtojnë këtë rritje të çmimeve. Ndërkaq, e pyetur nëse parashihen subvencione për studentët që udhëtojnë çdo ditë drejt Shkupit, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se aty ku ka mundësit studentët kanë transport falas, ndërsa për transportin ndërurban momentalisht nuk kanë paraparë një masë të tillë.
VESNA JANEVSKA, MINISTRE E ARSIMIT DHE SHKENCËS
“Studentët kanë mundësi të regjistrohen në gjashtë universitete shtetërore dhe, me sa jam e informuar, ata zgjedhin ato që u përshtaten më së shumti. Ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është se ne duhet ta përmirësojmë cilësinë e arsimit. Pra, duhet të kemi prioritete, dhe këto prioritete janë: mësimi me një turn për nxënësit më të vegjël, ndryshimi i planeve dhe programeve mësimore dhe miratimi i një ligji të ri për arsimin e lartë. Pastaj, ndërsa do t’i zbresim prioritetet nga i pari drejt të fundit, do të kujdesemi edhe për gjërat e tjera”.
Kompanitë e transportit ndërurban kanë rritur edhe çmimet e biletave ditore. Përkatësisht, bileta për një drejtim Tetovë -Shkup është rritur në 250 denarë, ndërsa Kumanovë – Shkup në 200 denarë.
Teuta Buçi /SHENJA/
