Shkolla e mesme e policisë, Mickoski thotë se paralelja në shqip varet nga kushtet
Kryeministri Hristijan Mickoski i pyetur sot lidhur me deklaratën e tij se në Shkollën e mesme të policisë “7 Maji” këtë vit do të ketë mundësi që mësimi të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, nëse plotësohen kushtet e nevojshme, tha se ata si qeveri kanë dhënë përgjigjen e tyre ndërkaq për më tej duhet pyetur MPB-ja lidhur me këtë çështje.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Për këtë duhet ta pyesni ministrin e punëve të brendshme, ata do të ju japin përgjigje, ne si qeveri e thamë atë për të cilën u pyetëm. Sipas ligjit do të formohet paralele, në të cilën nxënësit do të mund të mësojnë në gjuhën shqipe”.
Gjatë parashtrimit të pyetjeve për çështje tjera, kryeministrit iu kujtua që të jetë më saktë në përgjigjen për pyetjen paraprake dhe përgjigjjes së tij ia shtoi edhe këtë pjesë.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Të jem më preciz, nëse ka edhe turq, turqisht do të mësojnë, nëse ka rom, në gjuhë rome do të mësojnë, sepse juve vetëm ajo ju intereson dhe për atë unë iu përgjigja. Sepse, qytetarët e këtij vendi të gjithë e mbushin buxhetin. Nuk mund të pini ujë nga kjo pjesë e ujit në shishe për shkak se atë pjesë e doni, kështu që kur të mbushet buxheti, të gjithë e mbushin”.
Pas plot tre dekadash nga regjistrimi i fundit, shkolla e mesme e policisë e rihapur, nga 310 nxënës të pranuar, vetëm 9 janë shqiptarë, pra më pak se 3 %. Nga partitë opozitare ka pasur reagime të ashpra dhe pakënaqësi të cilët rezultatin e pane si skandaloz, kërkuan transparencë dhe vlerësim adekuat si dhe dorëheqje të zëvendësministrit të Brendshëm, Astrit Iseni. Ndërkaq nga zëvendësministri Iseni në deklaratën e tij pati thënë se shkaku i kësaj përqindje sipas tij është interesimi jo i mjaftueshëm i shqiptarëve.
Edhe pse kryeministri Mickoski tha se do të formohet paralele në shqip nëse plotësohen kushtet, numri i nxënësve të pranuar këtë vit tregon një situatë tjetër. Vetëm 9 kandidatë shqiptarë kanë arritur të sigurojnë pranimin.
Tani mbetet e hapur pyetja se si do të organizohet mësimi për këta nxënës dhe nëse do të krijohen kushtet për realizimin e paraleles në gjuhën shqipe. Pra, përballë premtimit për mësim në shqip, aktualisht qëndron një shifër konkrete – vetëm 9 nxënës shqiptarë të pranuar në Shkollën e Mesme të Policisë “7 Maji”.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/
