Pritje deri në 40 minuta në Bogorodicë dhe Dojran, LAMM apelon për kujdes në komunikacion
Komunikacioni në të gjitha rrugët shtetërore po zhvillohet pa pengesa dhe në kushte të favorshme, në rrugë kryesisht të thata, njofton Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë (LAMM).
Sipas informacioneve të fundit, intensiteti i trafikut në akset rrugore jashtë zonave urbane është mesatar.
Frekuencë e shtuar e automjeteve është regjistruar në vendkalimet kufitare Bogorodicë dhe Dojran, ku koha e pritjes për dalje nga vendi arrin deri në 40 minuta. Në vendkalimet e tjera kufitare, nga ana e Maqedonisë së Veriut, nuk janë evidentuar vonesa më të gjata për hyrje apo dalje.
LAMM u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë shpejtësinë e lejuar dhe sinjalistikën rrugore, si dhe të drejtojnë me kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet rrugore që kalojnë nëpër lugina, gryka dhe zona malore, ku ekziston rreziku i paraqitjes së rrëshqitjeve të dheut.
Kujdes i veçantë rekomandohet në aksin Katllanovë–Veles, Mavrovë–Dibër–Strugë, Vinicë–Berovë dhe Koçan–Dellçevë.