Projekti më i madh sportiv në Çair – transformimi i sallës “Partizan”
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, ka shpallur programin e tij për revitalizimin e infrastrukturës sportive, duke e cilësuar sportin si “shëndet, edukim dhe krenari”, transmeton Gazeta Flaka.
“Prioriteti im është revitalizimi i infrastrukturës sportive dhe krijimi i zonave sportive të qasshme për të gjithë qytetarët,” tha Osmani.
Në fokus të këtij programi qëndron transformimi i sallës “Partizan” në qendrën sportive multifunksionale “Shaban Sejdiu”, një projekt i dedikuar kampionit botëror dhe ikonës së Çairit. Sipas Osmanit, kjo qendër do të shndërrohet në “shtëpi të sportistëve, të rinjve dhe gjithë dashamirëve të sportit”.
Programi përfshin gjithashtu:
- Rekonstruksion dhe modernizim të sallave “Enver Idrizi”, “Vasil Gllavinov”, “Imri Elezi”, “Liria” dhe “Shaban Tërstena”;
- Ndërtimin e fushave të reja sportive me ndriçim në disa lagje të Çairit, si futbolli në “Tefejjyz”, basketbolli në “Hasan Prishtina” dhe fusha të kombinuara në “Ismail Qemali”;
- Pajisje të reja sportive në Fushë Topanë dhe Parkun e Çairit;
- Ndërtimin e një salle të re sportive në SHFK “Jashar Beu” në Dyqanxhik.
Osmani ka theksuar se programi përfshin edhe mbështetje për të rinjtë, përmes bursave për sportistë të talentuar, kategorizimit të sporteve dhe financimit të pjesëmarrjes së tyre në garat ballkanike, evropiane dhe botërore.
“Çairi ka krijuar kampionë. Është koha ta kthejmë sportin aty ku e ka vendin!” u shpreh Bujar Osmani.






