“Prokuroria Speciale veç nëse na kapen për aty ku s’thuhet,” Sallahu shpërndan postimin skandaloz
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka shpërndarë një postim të publikuar nga drejtori i Financave në Telekomin e Kosovës, Feim Kelmendi, në të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës kritikohet ashpër. Madje përdoren edhe shprehje skandaloze si “Prokuroria Speciale veç nëse na kapen për aty ku s’thuhet”.
Kelmendi përmes një shkrimi në Facebook, akuzon Prokurorinë se është “shndërruar në organizatë kriminale që është vënë në shërbim të partive politike,” dhe se “po përdor metoda shantazhi duke inskenuar hetime pa asnjë bazë, për të krijuar propagandë ndaj njerëzve të ndershëm dhe punëtorë.”
Kelmendi ka konfirmuar se më 6 nëntor të këtij viti, Prokuroria Speciale ka dërguar një shkresë në Telekom për të kërkuar kontrata dhe dokumente të tjera, “me qëllim hetimi.”
Ai thekson se ndërsa prokuroria ka të drejtë të nisë hetime për çështje të dyshimta, “është tepër shqetësues fakti se çka Prokuroria po e cilëson si hetime.”
Sipas tij, përdorimi i termave si “kontratë një burimore” nuk është terminologji ligjore, duke sugjeruar se ky term është i “rrugëve” dhe jo ligjor.
“Termi ligjor është Procedurë e Negociuar e Tenderimit,” shkruan Kelmendi, duke kritikuar prokurorinë për përdorimin e gjuhës që, sipas tij, ngjan më shumë me atë të përdorur në studiot televizive sesa në procedurat zyrtare.
Postimi është plot akuza të rënda dhe shprehje banale, ndërsa Sallahu e ka shpërndarë atë, duke shënuar kështu një sulm ndaj institucioneve të drejtësisë./Insajderi