Pse protestojnë studentët sot në Shqipëri?
Studentë, gjimnazistë dhe të rinj janë mbledhur sot, më 13 tetor, para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në kuadër të një proteste kombëtare kundër problematikave në arsim, mungesës së mundësive për të rinjtë dhe situatës politike në vend.
Protestuesit kanë ngritur zërin për kushtet e dobëta në fakultete dhe konvikte, kostot e studimeve dhe mungesën e mbështetjes financiare për studentët. Një tjetër shqetësim është vështirësia për të gjetur punë në profesionin për të cilin janë diplomuar, duke bërë që shumë të rinj të shohin emigrimin si alternativë për një të ardhme më të mirë.
Përmes pankartave dhe thirrjeve, të rinjtë kanë kërkuar ndryshime konkrete në sistemin arsimor dhe më shumë përgjegjësi nga institucionet. Ndër sloganet e dëgjuara janë: “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Kur zgjohet rinia, bie qeveria”.
Protesta ka marrë edhe karakter politik. Një pjesë e protestuesve kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Arsimit, si dhe largimin e asaj që e cilësojnë si klasë politike 35-vjeçare.
Tubimi, i cili nisi rreth orës 14:00, është shoqëruar me tensione dhe përplasje me policinë. Sipas informacioneve të raportuara, protestuesit kanë hedhur vezë, bojë, kapsolla dhe sende të forta drejt godinës së Ministrisë së Arsimit, ndërsa disa prej tyre kanë tentuar të hyjnë brenda ambienteve të institucionit. Policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe autobot uji, ndërsa janë raportuar persona të lënduar dhe shoqërime në polici.
Protesta e sotme pasqyron pakënaqësinë e një pjese të të rinjve për gjendjen e arsimit, mungesën e perspektivës profesionale dhe besimin e ulët te politika. Mbetet për t’u parë nëse kërkesat e tyre do të marrin përgjigje konkrete nga institucionet shqiptare./Shprehja.com


