Qamili: Po shfuqizohet një vendim që s’u zbatua kurrë, zgjidhja e re do të pasqyrojë realitetin e Tetovës
Nënkryetari i komunës së Tetovës, Albi Qamili ka reaguar pas lajmit se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin për emrat të rrugëve dhe shesheve në Tetovë.
Qamili thotë se kjo është edhe një punë gjysmake e BDI-së, pjesë e, sipas tij “tangos BDI-Gjykata Kushtetuese!”.
“Edhe një punë gjysmake e BDI-së, pjesë e tangos BDI-Gjykata Kushtetuese!
Tandemi BDI – Gjykata Kushtetuese vazhdojnë tentativat për ta goditur VLEN-in duke i goditur shqiptarët. Po shfuqizojnë një vendim që nuk është implementuar asnjëherë.
Nuk ka dyshim se kjo përbërje e Gjykatës Kushtetuese ndien një detyrim ndaj shumicës së mëparshme qeverisëse që i zgjodhi ata dhe sjell vendime për të ndihmuar politikisht BDI-në. Mjafton të shohim se kush i gëzohet vendimit skandaloz të kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese. BDI-ja, e cila bëri zgjidhje gjysmake për riemërtimin e rrugëve dhe sot tinëzisht nxit vendime të tilla nga gjykata që e votuan vetë.
Këtë vendim skandaloz e bazojnë te procedura që BDI-ja nuk e respektoi dhe si rrjedhojë ato emra asnjëherë nuk u bënë të plotfuqishme.
Ne i kemi parapri kësaj, prandaj ka një Komision për Riemërtimin e Rrugëve në Tetovë i cili po punon intensivisht dhe së shpejti do të miratojë zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme e cila reflekton realitetin shoqëror të Tetovës”, ka shkruar Qamili.