
Rabio kthehet përsëri në Serie A
AA
Adrien Rabio është një futbollist i ri i Milanit. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, të cilat kanë zbuluar se është gjetur më në fund gjuha e përbashkët mes palëve për kthimin e mesfushorit francez në Serinë A.
Sipas “Gazzetta Dello Sport”, bisedimet që kanë nisur dje, janë finalizuar sot me një akord të të gjitha palëve të përfshira. Milani ka rënë dakord që t’i paguajë 10 milionë euro Marsejës për lojtarin, përfshirë edhe bonuset që janë të ndara në klauzola të veçanta.
Një pjesë e parave i shkojnë në fakt Veronik Rabio, mamasë të lojtarit, e cila si menaxhere e tij ka ruajtur të drejtën e shifrës së transferimit të ardhshëm të të birit kur ai firmosi për Marsejën. Edhe vetë akordi me Rabio për rrogën është arritur, ndërsa pritet që nesër të kryhen vizitat mjekësore dhe të hidhet firma në kontratë.
Nuk dihen ende shifrat që do të përfitojë ai te kuqezinjtë, por këta të fundit kanë qenë të gatshëm të kalojnë edhe rrogën prej 5,5 milionë eurosh në sezon që përfiton aktualisht Rafa Leao. Gjithçka ka përshpejtuar falë insistimit të Alegrit, i cili e kërkonte me çdo kusht në ekip.