Raci reagon për ndalimin e zyrtarëve të VLEN në kufirin e Shqipërisë: Nëse lidhet me protestat, është veprim antidemokratik
Analisti nga Kosova, Gazmir Raci, ka reaguar pas raportimeve se deputeti Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Hasim Murtezani, janë ndaluar për rreth një orë në kufirin me Shqipërinë.
Përmes një reagimi publik, Raci e ka cilësuar të papranueshëm një veprim të tillë, nëse arsyeja e ndalimit ka qenë mbështetja e tyre për protestat.
“E papranueshme që deputeti Bekim Qoku, deputeti Adnan Azizi dhe Hasim Murtezani, zëvendëssekretar i përgjithshëm në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, të ndalen për rreth një orë në kufirin e Shqipërisë. Nëse kjo ka ndodhur vetëm për shkak se kanë qenë mbështetës të protestave, atëherë ky është një veprim thellësisht antidemokratik dhe i papranueshëm”, ka shkruar Raci.
Ai thekson se Shqipëria duhet të garantojë lirinë e shprehjes dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve apo qëndrimeve të tyre politike.
Raci shton se, nëse motivi i ndalimit ka qenë angazhimi i tyre në mbështetje të protestave, një praktikë e tillë bie ndesh me parimet demokratike dhe të drejtën për shprehje të lirë.