Reali optimist: Kur fitojmë takimin e parë, në fund marrin trofeun
Ekipi madrilen do të synojë kurorën numër 16 në historinë e tyre dhe që të jenë kampionët e parë, me ndryshimin e formatit të kompeticionit më madhështor për klube.
Sipas së përditshmes spanjolle “AS” Real Madrid në 7 fitoret e fundit të Ligës së Kampionëve në këtë shekull të ri, ka arritur gjithmonë ta fitojë sfidën e parë të edicionit. Kështu duke nisur nga sezoni 2001-2002, ku Real fitoi ndeshjen e parë ndaj Romës e më pas ngriti lart trofeun pas finales së Glasgou të fituar 2-1 ndaj Leverkuzenit, e deri në sezonin e shkuar teksa Reali fitoi 1-0 ndeshjen e parë ndaj gjermanëve të Union Berlinit, e më pas edhe trofeun e 15 në histori pas suksesit 2-0 në “Uembli” ndaj Dortmundit.
Në Madrid shpresojnë për një tjetër sukses të “Los Blankos”, aq më tepër që skuadra e Ançelottit është përforcuar edhe më shumë pas ardhjes së “yllit” francez, Kilian Mbape.
“AS” sjell në vëmendje këto numra që në futboll janë gjithmonë të rëndësishëm, pavarësisht se për shumëkënd mund të jenë vetëm supersticion. Për prestigjiozen “AS” ndeshja e parë për madrilenët sjell gjithmonë fat.