“Red Bull” i tregon derën pilotit meksikan, gati dy zëvendësues
Sezoni 2024 në Formula 1 është gati të përfundojë, me “Red Bull” që ka humbur prej disa garash pozitat si makina më e mirë në botë. Tashmë makina austriake renditet e treta, pas MekLarenit dhe Ferrarit dhe në këtë rezultat negativ ka ndikuar mjaft paraqitja e meksikanit Serhio Perez.
Piloti ka ende edhe një vit kontratë me “Red Bull”, por paraqitjet zhgënjyese të meksikanit po i hapin rrugën mjaft emrave të rinj në cirkuit, si Liam Louson apo Franko Kolapinto. Ata shihen si trashëgimtarë të mundshëm të Serhio Perez, që prej muajsh nuk arrin të ngjitet në podium.
Për pasojë, drejtori sportiv i “Red Bull”, Kristian Horner, ka deklaruar së fundi se vetëm Maks Verstapen, triumfues në Brazil ditën e diel, ka të sigurtë vendin sezonin tjetër. Për meksikanin e ardhmja do të vendoset pas garës së fundit në Abu Dhabi, duke parë paraqitjet e tij.
Horner deklaroi se nuk do të ketë një ndryshim në fund të sezonit, siç u përfol pas Brazilit, por Perez duhet të përmirësojë paraqitjen e tij nëse dëshiron të qëndrojë ende. Pra, tri garat e radhës do të jenë vendimtare për meksikanin, që rrezikon të mos garojë në Formula 1 vitin tjetër.