
Rexhepi i drejtohet Arifit: Dhjetra mijëra euro të shpenzuara për iftare, zero transparencë
Rexhepi i drejtohet Arifit: Dhjetra mijëra euro të shpenzuara për iftare, zero transparencë
Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët në komunë e Likovës Basri Rexhepi, ka shprehur shqetësime mbi mënyrën se si Komuna e Likovës po menaxhon fondet publike, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit.
Në një status në Facebook, ai ka drejtuar disa pyetje për kryetarin e kësaj komune, duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie.
Postimi i plotë në Facebook
Disa pyetje për Kryetarin e Komunës së Likovës për këtë Ramazan:
1. Kemi parë që janë shpenzuar dhjetëra mijëra euro për organizimin e iftareve. A mund të dimë ne, si taksapagues, se me çfarë fondesh janë financuar këto iftare të njëpasnjëshme? Transparenca është thelbësore, sepse aty ku mungon, lindin dyshime për keqpërdorim të mjeteve publike. Dhe nëse ka pasur keqpërdorim, nuk ka gjë më të turpshme sesa të vjedhësh në emër të iftareve.
2. Nëpër xhami u bënë thirrje për regjistrim në ujësjellësin që ende nuk ekziston. Pse Komuna shpërndan informata të pasakta përmes institucioneve fetare? A mos vallë, pasi banorët nuk u besojnë më premtimeve të Kryetarit, tani po keqpërdoren xhamitë dhe feja për të mashtruar sërish mbi ujësjellësin? Realiteti është se edhe pas 24 vitesh, as rrjeti sekondar, as infrastruktura e nevojshme nuk janë ndërtuar për të mundësuar kyçjen në një sistem që ende nuk ekziston.
3. E kemi parë Kryetarin duke shpërndarë ndihma humanitare, sikur të ishte punonjës i Kryqit të Kuq, duke ekspozuar fytyrat e njerëzve në nevojë. A nuk do të ishte më e ndershme që në vend të këtyre skenave të siguronte vende pune dhe një jetë dinjitoze për bashkëvendasit tanë? Pse po keqpërdoret dinjiteti i tyre për përfitime politike, kur detyra e Kryetarit nuk është të shpërndajë ndihma humanitare, por të krijojë mundësi për punësim dhe zhvillim ekonomik?
Nuk ka gjë më të ulët sesa të përdorësh Ramazanin dhe fenë për poena politik. Zoti ju faltë!