Rezultatet zyrtare të KSHZ-së, sa ishte dallimi mes kandidatëve në Bërvencië
BËRVENICË – Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka publikuar rezultatet përfundimtare të raundit të parë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës. Në bazë të rezultateve të numërimit të të gjitha votave në 24 vendvotimet, garën për kryetar komune do ta vazhdojnë në raundin e dytë Stojanço Radiçevski nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Maqedonia Juaj”, si dhe Arkin Jahiji nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI).
Radiçevski ka siguruar 2.943 vota, apo 38,90 për qind, duke u renditur i pari në raundin e parë. Në vendin e dytë është Arkin Jahiji me 2.152 vota, apo 28,45 për qind, duke siguruar kalimin në balotazh.
Kandidati i koalicionit VLEN, Jakup Huseini, ka marrë 1.528 vota (20,20 për qind), ndërsa kandidati i LSDM-së, Jovica Radeski, ka siguruar 706 vota (9,33 për qind).
Kandidatët e tjerë, Dushan Bogdanovski dhe Arife Idrizi, kanë marrë përkatësisht 55 vota (0,73 për qind) dhe 21 vota (0,28 për qind).
Pjesëmarrja në zgjedhje
Sipas të dhënave të KSHZ-së, nga gjithsej 16.256 votues të regjistruar, në zgjedhje kanë marrë pjesë 7.565 qytetarë, duke shënuar një dalje prej 46,56 për qind. Janë evidentuar gjithashtu 160 fletëvotime të pavlefshme.
Meqë asnjë kandidat nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme të votave në raundin e parë, vendimi përfundimtar për udhëheqjen e Komunës së Bërvenicës do të merret në balotazh, ku qytetarët do të zgjedhin mes Stojanço Radiçevskit dhe Arkin Jahijit. /Shprehja.com
