Rrahën dhe incizuan moshataren, prokuroria kërkon nga gjykatësi për fëmijë masa për vajzat dhunuese
Prokuroria ka këkruar përgatitje të procedurave nga gjykatësi për fëmijë, për vajzat që ushtruan dhunë mizore ndaj bashkëmoshatares së tyre dhe për djemtë që ndihmuan me këshilla se si të ushtronin dhunë dhe e incizuan dhunën, ndërsa më pas e kanë shpërndarë videon.
Prokuroria sqaroi se dy vajza të mitura më 30 qershor, në oborrin pas një qendre tregtare në Shkup, në grup kanë ushtruar dhunë mizore dhe e kanë rrezikuar sigurinë e vajzës 12 vjeçare. Ndërsa shtuan se në këtë veprim ka qenë i përfshirë edhe një fëmijë, por përshkak se është 13 vjeçar nuk mund të përgjigjet penalisht.
Prokuroria Themelore Publike
“Ata e detyruan të gjunjëzohej dhe të kërkonte falje, pastaj e qëlluan me shuplakë dhe i shkulën flokët. Goditjet i shkaktuan viktimës lëndime fizike, dhe një ndjenjë pasigurie, kërcënimi dhe frike iu shkaktua shoqes së saj, dëshmitares së ngjarjes, dhe publikut”.
Këto skena, dhunueset u kujdesën që t’i kishin edhe të filmuara.
Prokuroria Themelore Publike
”Njëri nga djemtë ndihmoi në aktet e dhunës duke ofruar këshilla, udhëzime dhe inkurajim se si të kryhej akti. Dy djemtë bënë një regjistrim video të paautorizuar të aktit të dhunës pa pëlqimin e viktimës dhe duke shkelur privatësinë e saj. Ata gjithashtu ua dërguan regjistrimin autoreve”.
Prokurori publik kërkoi që gjykata të caktojë masë kujdesi, gjegjësisht që këta fëmijë që kanë problem me ligjin, të mos afrohen të mos kenë kontakte mes vete dhe as me viktimën.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/