Rriten çmimet e derivateve, dizeli shkon në 101 denarë
Çmimet e derivateve të naftës nga mesnata shënojnë rritje të re në vend.
Vendimi i Komisionit Rregullator për Energjetikë parashikon rritje prej 3 denarësh për litër të benzinës, 6 denarësh për dizelin, ndërsa vaji ekstra i lehtë për amvisëri shtrenjtohet për 8 denarë për litër.
Kështu, nga mesnata, çmimi maksimal i EuroSuper 95 do të jetë 97 denarë për litër, ndërsa EuroSuper 98 do të shitet deri në 99 denarë për litër.
Rritja më e madhe është te dizeli. Eurodizeli nga 95 shkon në 101 denarë për litër.
Ndërkohë, vaji ekstra i lehtë për amvisëri, i cili aktualisht kushton 97 denarë, nga nesër do të shitet me çmim maksimal prej 105 denarë për litër.
Nga Komisioni Rregullator sqarojnë se rritja vjen si rezultat i rritjes së çmimeve referente të naftës në bursat botërore dhe lëvizjeve të kursit të denarit.
Kjo është një goditje e re për buxhetet familjare dhe bizneset, veçanërisht për qytetarët që përdorin automjete me naftë, por edhe për familjet që përdorin vaj ekstra të lehtë për ngrohje.
Për një automjet me rezervuar prej 50 litrash, vetëm rritja e çmimit të dizelit nënkupton rreth 300 denarë më shumë për një mbushje të plotë.
Me çmimet e reja, për një rezervuar prej 50 litrash me dizel do të nevojiten rreth 5.050 denarë, ndërsa për 50 litra benzinë 95 rreth 4.850 denarë.
Çmimet e reja do të vlejnë nga 8 shtatori. /SHENJA/