
Sara Kadrija: Moda është drita që e mbaj gjithmonë brenda vetes
Sara Kadrija është një ndër vajzat e reja shqiptare që ka vendosur të ndjekë pasionin e saj në botën e modës dhe dizajnit. Me një dashuri të lindur ndaj artit dhe estetikës, ajo ka zgjedhur ta ndërtojë karrierën e saj mbi kreativitetin, stilin dhe këmbënguljen.Në këtë intervistë për Ora24.tv, Sara rrëfen rrugëtimin e saj akademik, frymëzimet që e kanë formësuar, ngjyrat që e karakterizojnë dhe ëndrrën për hapjen e një atelie ku arti takohet me modernitetin.
Studimet dhe fillimet në dizajn
Studimet i kam kryer në Fakultetin e Shkencave Teknologjike në Shkup duke marrë titullin Teknologe e tekstilit, dizajnit dhe modës. Ajo që më ka impresionuar gjithmonë në këtë fushë ka qenë dashuria për modën, e cila më ka shoqëruar që në fëmijëri, duke eksperimentuar me veshjen dhe çdo detaj të imazhit të një femre. Njëkohësisht, pasioni për artin ka qenë një talent i lindur që më ka shtyrë të ndjek .
Frymëzimi dhe idhujt
Nuk mund të them që kam pasur një idol të caktuar. Gjithmonë kam zgjedhur të jem vetvetja në çdo hap, pa ndjekur verbërisht askënd. Ajo që më ka frymëzuar më shumë ka qenë paraqitja e femrës shqiptare – e konsideroj si simbol të rezistencës dhe forcës ndër vite. Në aspektin e stilit, jam spontane dhe krijimet e mia burojnë nga ndjesitë e brendshme.
Ngjyrat që mbizotërojnë në krijime
Koleksionet e mia, të shfaqura në Shkup dhe Tiranë, kanë përfshirë një gamë ngjyrash, si ato të forta dhe të ndezura, ashtu edhe më të ngrohta. Por, dy ngjyra që dominojnë gjithmonë janë e bardha dhe e zeza – ato më japin energji dhe entuziazëm jetësor. Megjithatë, çdo ngjyrë ka bukurinë e saj unike, ndaj nuk i kufizoj krijimet vetëm në një paletë
Atelja e ëndrrave
Për momentin kam një hapësirë private, por jam në rrugë për të realizuar edhe ateljen time. E imagjinoj si një vend të gjerë, me detaje të sinkronizuara, që kombinojnë frymën antike me modernitetin e sotëm. Do të jetë një miks mes të resë dhe të vjetrës, një hapësirë që frymëzon.
“Çdo i ri apo e re që ka një ëndërr duhet ta ndjekë pa hezitim. Jeta ka shumë sfida dhe momente ku mendon të dorëzohesh, por guximi dhe vetëbesimi janë çelësi. Asgjë nuk arrihet pa punë dhe përkushtim. Fusha e dizajnit nuk është e lehtë, por me vullnet dhe pasion gjithçka është e mundur. Edhe kur jeta të errëson, mos harro se drita ekziston – dhe ajo dritë je ti vetë.
Në fund të bisedës sonë me Sara Kadrijën, mbetet e qartë se pasioni dhe këmbëngulja janë çelësi i suksesit në çdo fushë, sidomos në botën e modës ku sfidat nuk mungojnë. Ajo na kujton se drita e brendshme dhe vetëbesimi janë shtytësit kryesorë drejt arritjeve. Me vizionin për të hapur një atelie ku arti takohet me modernitetin, Sara premton të sjellë një frymë të re në skenën e modës shqiptare.