Sela kërkon reagimin e Prokurorisë dhe MPB-së: Postimi i kryetarit të Butelit përmban kërcënime
Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, ka reaguar ndaj një postimi të kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovski, duke e cilësuar retorikën e tij si të papranueshme dhe me elemente të kërcënimeve indirekte.
Nga partia vlerësojnë se komunikimi i tillë nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe theksojnë se nuk do të tërhiqen nga qëndrimet për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk ka kush që të frikësohet nga ti”, thuhet në reagimin e Lidhjes Shqiptare, e cila kërkon nga Prokuroria Publike, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet tjera kompetente që të hetojnë deklaratën e Kostovskit.
Sipas partisë, nëse një kryetar komune u drejton mesazhe të tilla një deputeti dhe lideri politik, kjo ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si ai i trajton qytetarët e zakonshëm.
Lidhja Shqiptare kërkon që edhe përfaqësitë diplomatike në vend ta evidentojnë dhe dënojnë këtë publikim.
Në reagim, partia paralajmëron se do të vazhdojë angazhimin për zgjedhjen e një kryetari shqiptar në Butel, duke e cilësuar këtë si një mundësi që mund të bëhet realitet së shpejti.