
Serbia po ble Maqedoninë? Investime në banka, telekom dhe media
Banka, e cila njihet si lidere në futjen e shërbimeve bankare digjitale dhe si një nga institucionet financiare më inovative në Serbi, po vazhdon me strategjinë e saj për modernizim, digjitalizim dhe zgjerimin e pranisë së saj në rajon, transmeton Flaka.
Alta Banka është e njohur për futjen e zgjidhjeve moderne digjitale, shërbimeve të avancuara online dhe qasjes së personalizuar ndaj klientëve, çka e pozicionon si një partner të besueshëm dhe të qëndrueshëm si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
Në kuadër të strategjisë së saj rajonale për zhvillim, Alta Banka ka shprehur interes për blerjen e një pakete kontrolluese aksionesh dhe integrimin e Stopanska Banka AD Bitola. Ky proces përfaqëson një procedurë të marrjes nën kontroll në përputhje me Ligjin për Bankat dhe të gjitha rregulloret përkatëse të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë.
Procesi është konfirmuar edhe nga guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Slaveski, i cili në një intervistë për Newsmax Balkans deklaroi:
“Jemi në proces vlerësimi të ofertës dhe finalizimit të dokumentacionit, me pritshmëri për deklarim edhe nga Komisioni për Letrat me Vlerë.”
Sipas burimeve të mediave maqedonase, i gjithë dokumentacioni i nevojshëm tashmë është përgatitur dhe dorëzuar te organet kompetente, ndërsa për momentin pritet miratimi formal nga Banka Popullore.
Pas marrjes së mendimit pozitiv dhe miratimit zyrtar, do të zhvillohet e gjithë procedura e marrjes nën kontroll, e cila përfshin edhe regjistrimin ligjor të ndryshimeve në Regjistrin Qendror dhe shënimin e statusit të ri pronësor.
Ky hap, sipas mediave, do të mundësojë zhvillim dhe stabilitet shtesë të tregut bankar në Maqedoni, duke sjellë me vete zgjidhje të reja digjitale, qasje moderne dhe konkurrencë të shtuar në dobi të klientëve.
Reagoi analisti Sefer Selimi, i cili në rrjete sociale shkroi:
“Rrini rahat”, do thoshte njëri zëvendëskryeministër dhe tjetri do thoshte që “përgëzoj institucionet për reagimin e shpejtë”. Ndërkohë që një bankë me kapital nga Shqipëria refuzohet, banka e oligarkut në listën e zezë amerikane dhe financues i partisë në pushtet kalon në pronësi të bankës me kapital serb.”
Pas hapjes së studios televizive serbo-ruse Newsmax në Shkup, Serbia po synon zgjerimin e ndikimit në Maqedoni edhe me një investim shtesë prej 50 milionë euro në telefoninë celulare. Telekom Serbia, siç ka deklaruar drejtori i saj Vladimir Luçiç, synon të bëhet operatori kryesor i telekomunikacionit në RMV. Flaka
The post Serbia po ble Maqedoninë? Investime në banka, telekom dhe media appeared first on Flaka, në çdo lajm… .