Shasivari: Vazhdojmë partneritetin e fuqishëm me SHBA-në për sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot realizoi një takim me Nikol Varns, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-së, në të cilën u konfirmua bashkëpunimi i fuqishëm dhe i vazhdueshëm mes Ministrisë së Drejtësisë dhe SHBA-së si partner strategjik në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.
Gjatë takimit u diskutua për prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë në reformën e gjyqësorit, forcimin e sundimit të ligjit, digjitalizimin e sistemit gjyqësor, agjendën legjislative dhe luftën kundër korrupsionit. Ministri Shasivari kërkoi që në periudhën e ardhshme të mundësohet shkëmbim përvojash dhe mbështetje eksperte nga SHBA në fushën e legjislacionit penal.
Ministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ofron Ministrisë së Drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend, duke theksuar se kjo mbështetje ka rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, si dhe në avancimin e bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe reforma e legjislacionit penal, e cila mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë drejtim u theksua se ka nisur zbatimi i projektit “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Bureau of International Narcotics and Law Enforcement Affairs (INL) pranë Departamentit të Shtetit të SHBA‑së.
Gjatë takimit u konfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të partneritetit përmes projekteve të reja të përbashkëta, mbështetjes eksperte dhe shkëmbimit të përvojave në fusha me interes të ndërsjellë. përcjell Zhurnal.mk .