“Shënohet nisja e fushatës ‘Maj – Muaji i Evropës'”
Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali, sot shënoi nisjen zyrtare të fushatës “Maj – Muaji i Evropës”, në një takim me ambasadorë të vendeve evropiane, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve vendore.
Me këtë iniciativë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut synon të shkojë përtej shënimit tradicional të Ditës së Evropës më 9 maj, duke e shndërruar tërë muajin maj në një platformë të përbashkët për promovimin e procesit të integrimit evropian dhe afrimin e tij me qytetarët.
Në fjalën e tij, Ministri Sali theksoi se fokusi i kësaj fushate është zhvendosja e vëmendjes nga aspektet teknike të negociatave drejt përfitimeve konkrete që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian, përfshirë mundësi më të mëdha për të rinjtë, zhvillimin e infrastrukturës dhe mbështetjen për ekonominë lokale.
Gjatë muajit maj, do të organizohen aktivitete të ndryshme dhe do të prezantohen histori suksesi nga projekte të mbështetura nga Bashkimi Evropian, të cilat tashmë kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Fushata realizohet si një prioritet i përbashkët i Qeverisë, në bashkëpunim me shoqërinë civile, universitetet, komunitetin e biznesit dhe institucionet kulturore, me qëllim që procesi i integrimit evropian të bëhet më i dukshëm dhe më i prekshëm për të gjithë qytetarët.