Shoferë kujdes! Po qarkullojnë SMS porosi të rrejshme për dënime, reagon MPB
Sektori për krim kompjuterik pranë Byrosë për Siguri Publike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka njoftuar për një rritje të rasteve të mashtrimeve përmes mesazheve telefonike, ku qytetarëve u kërkohet pagesë për gjoja shkelje në komunikacion.
Sipas njoftimit, persona të panjohur përmes një numri të huaj telefonik (+639606963624) u dërgojnë qytetarëve mesazhe në gjuhën maqedonase, duke pretenduar se kanë kryer kundërvajtje në trafik dhe duke kërkuar pagesë përmes kartelave bankare në një faqe të rreme që imiton faqen zyrtare të MPB-së. (http://mvr.govmk.cam/mk .)
Mashtrimi funksionon në atë mënyrë që pasi qytetarët klikojnë në linkun e dërguar, ridrejtohen në një faqe të falsifikuar ku u kërkohet të fusin targat e automjetit. Më pas, u shfaqet një dritare ku pretendohet se kanë një shkelje dhe u kërkohet pagesa prej 1500 denarësh.
Autoritetet apelojnë që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të mos u besojnë mesazheve që vijnë nga burime të panjohura apo faqe jozyrtare, si dhe të mos ndajnë të dhënat personale apo bankare, pasi ato mund të keqpërdoren.
Nga Sektori për krim kompjuterik bëjnë thirrje që të mos hapen linke apo dokumente të dyshimta nga dërgues të panjohur, në mënyrë që të shmangen mashtrime të tilla.