Shkëndija kërkon Geralb Smajlin dhe Aleksandër Trumçin
Shkëndija e Tetovës i bën ofertë zyrtare Geralb Smajlit dhe në të njëjtën kohë është gati të paguajë një dëmshpërblim te Vllaznia për blerjen e kartonit të mbrojtësit të djathtë. Skuadra tetovare mundohet të joshë 21-vjeçarin shkodran, të cilit i skadon kontrata me Vllazninë në përfundim të këtij sezoni.
Shkëndija i ka bërë një ofertë të parefuzueshme Smajlit, me një rrogë disa herë më të lartë sesa ajo që merr te Vllaznia. Në të njëjtën kohë, duke parë situatën, por edhe performancën e mirë të mbrojtësit, drejtuesit e Vllaznisë i kanë ofruar rinovimin e kontratës. Shkëndija është e gatshme t’i japë Vllaznisë një shumë të caktuar si dëmshpërblim për lojtarin, pasi kërkon marrjen e tij, me çdo kusht, brenda merkatos së janarit.
Shkëndija e Tetovës ka edhe planin B në rast se dështon të arrijë marrëveshjen me Smajlin, i cili është pjesë e padiskutueshme edhe e kombëtares U-21 në dy vitet e fundit. Një tjetër shkodran është në “radarin” e tetovarëve, pikërisht Aleksandër Trumçi, i cili luan me Bylisin në kategorinë e Parë. 23-vjeçari është edhe kapiteni i ballshiotëve në sezonin e tij të tretë me këtë skuadër. Ai njihet mirë nga trajneri Jeton Beqiri, pasi e ka stërvitur kur ka drejtuar Bylisin.
Oferta në drejtim të Trumçit ka qenë konkrete, por ai është nën kontratë me Bylisin, ndaj nuk mund të bëjë asnjë lëvizje pa miratimin e presidentit Besnik Kapllanaj. Trumçi është kërkuar edhe nga Partizani, kështu që nuk është “operacion” i lehtë për Shkëndijën e Tetovës. /Panoramasport/