Siljanovska: Duhet të mos humbet kohë për zgjidhjen e çështjeve historike
Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova ka bërë thirrje që vendi të përqendrohet në procesin e evropianizimit dhe në përmbushjen e Kritereve të Kopenhagës, pa humbur kohë në zgjidhjen e çështjeve historike që, sipas saj, nuk janë pjesë e kushteve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për MIA-n, ajo theksoi se identiteti kombëtar dhe kulturor mbrohen nga vetë aktet themelore të BE-së dhe nuk duhet të bëhen objekt i negociatave në procesin e integrimit evropian.
GORDANA SILJANOVSKA-DAVKOVA, PRESIDENTE
“Le të evropianizohemi gjatë rrugës, le të bëhemi të pajtueshëm me atë që kërkojnë Kriteret e Kopenhagës. Si? Pa humbur kohë duke zgjidhur çështje historike, sepse ato janë të përjashtuara nga identiteti dhe mbrohen nga dispozitat kushtetuese të Bashkimit Evropian. Le të përqendrohemi te evropianizimi”.
Ndërkaq, këto deklarata kanë nxitur reagimin e kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, i cili vlerësoi se për herë të parë nga VMRO-DPMNE dëgjohet publikisht një qëndrim që, sipas tij, LSDM-ja e mbron prej kohësh. Ai theksoi se kontestet historike me Bullgarinë nuk janë pjesë e kushteve evropiane për vazhdimin e negociatave me BE-në, por çështje dypalëshe mes dy vendeve.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Për herë të parë dikush nga VMRO-ja po e thotë publikisht atë që ne në LSDM, e tani edhe në frontin e madh qytetar, e përsërisim prej kohësh. Kontestet historike me Bullgarinë dhe puna e Komisionit Historik nuk janë pjesë e kushteve për vazhdimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Kjo është një çështje dypalëshe mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, e jo një kusht evropian.”
Filipçe kritikoi gjithashtu edhe kryeministrin Hristijan Mickoski, duke e akuzuar për përçarje të qytetarëve dhe izolim të vendit përmes, siç tha ai, propagandës dhe politikave të gabuara.
Samir Mustafa /SHENJA/