Autostrada Shkup-Bllacë, në vitin 2020 u nënshkrua kontrata për ndërtimin e segmentit të parë
Autostrada Shkup–Bllacë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore që duhet të lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, prej vitesh është shndërruar jo vetëm në temë ndërtimi, por edhe në një nga çështjet më të nxehta të përplasjeve politike në vend.
Ideja për këtë autostradë daton prej shumë vitesh, por përgatitjet konkrete dhe intensifikimi i projektit u bënë gjatë periudhës 2018–2019, kur qeveria e atëhershme e udhëhequr nga LSDM , me kryeministër Zoran Zaev , e promovoi si projekt strategjik për lidhjen rajonale dhe zhvillimin ekonomik me Kosovën. Në atë periudhë u dhanë edhe premtime publike se punimet do të nisnin shpejt, ndërsa u përgatit edhe dokumentacioni teknik dhe procedurat e tenderimit.
Në janar të vitit 2020 u nënshkrua kontrata për ndërtimin e segmentit të parë, ndërsa në maj të po atij viti filluan punimet në terren për rreth 2 kilometrat e parë të autostradës, nga pika kufitare në Bllacë drejt brendësisë së vendit. Projekti u promovua si një hap i madh drejt modernizimit të korridorit Shkup–Prishtinë.
Megjithatë, pas shumë pak kohësh, projekti u bë pjesë e debatit politik. BDI, si pjesë e qeverisë së atëhershme, e mbështeti fuqishëm ndërtimin e autostradës, duke e cilësuar si projekt me rëndësi strategjike për shqiptarët dhe rajonin, madje disa her zyrtarë të atëhershëm të BDI-së kanë mbajtur edhe konferenca për media në Bllacë, duke promovuar të njejtën.
Ndërkaq, ky projekt u shndërrua në pikë përplasjeje mes VMRO-DPMNE-së, që ishte në opozitë atë kohë , dhe BDI-së, por më vonë në debat u përfshi edhe koalicioni VLEN. VMRO-DPMNE ka kritikuar projektin duke pretenduar se ai është i kushtueshëm dhe i paefektshëm në formën fillestare. Sipas tyre, menaxhimi i mëparshëm ka qenë joefikas dhe ka krijuar vonesa të mëdha.
Nga ana tjetër, BDI ka akuzuar kundërshtarët politikë për bllokim të qëllimshëm të projektit dhe për pengim të zhvillimit të tij, duke theksuar se segmenti i parë është përfunduar, por për një kohë të gjatë nuk është avancuar pjesa tjetër e autostradës.
Edhe koalicioni VLEN ka kritikuar ashpër mënyrën e menaxhimit të projektit nga qeveritë e kaluara, duke e cilësuar autostradën si simbol të premtimeve të pambajtura dhe vonesave të gjata. Megjithatë, VLEN nuk e kundërshtonte ndërtimin e saj, por kërkonte përshpejtim dhe realizim më efikas të projektit.
Samir Mustafa /SHENJA/