Situata në Gostivar po qetësohet, 57 persona kërkuan ndihmë mjekësore
Ministria e Shëndetësisë informon se situata epidemiologjike në Gostivar është stabile dhe se po monitorohet vazhdimisht nga institucionet kompetente shëndetësore. Gjatë 1 gushtit janë regjistruar gjithsej 57 kontrolle të para, që është për tre më pak krahasuar me një ditë më parë, kur u evidentuan 60 kontrolle dhe se nuk ka hospitalizime të reja.
MINISTRIA E SHËNDETËSISË
“Deri më 1 gusht janë regjistruar gjithsej 1.041 raportime zyrtare për sëmundje infektive dhe janë realizuar 734 anketa të reja epidemiologjike”.
Kujtojmë se më 17 korrik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e ndaloi përdorimin e ujit për pije në Gostivar, pasi u zbulua një pompë që fuste drejtpërdrejt ujëra të ndotura në sistemin e ujësjellësit. Inspektorët e Agjencisë dolën në terren së bashku me policinë pasi një numër I madh I qytetarëve kërkuan ndihmë mjekësore.
Disa ditë më vonë, drejtoresha e NP “Komunalec” në Gostivar dhe edhe dy të punësuar u arrestuan. Sipas hetimit, më 25 qershor të dyshuarit kishin urdhëruar punonjësit të vendosnin tre pompa zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur pranë rezervuarit të ujit të pijshëm për të testuar presionin e ujit. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mori mostra të ujit, por edhe pse rezultatet e analizave ishin gati, Qeveria dhe Prokuroria nuk i publikuan menjëherë, por disa ditë më vonë, saktësishtë më 20 korrik Prokuroria Publike publikoi rezultatet, sipas të cilave uji në Gostivar ishte jashtëzakonisht i ndotur dhe nuk duhej të përdorej për asnjë qëllim.
Për rastin në fjalë , kryeministri Hristijan Mickoski, ditë më parë tha se hetimi do të zgjerohet dhe se do të përfshihen dhe persona tjerë.
Në Gostivar për momentin ka vetëm ujë teknik që mund të përdoret për larje dhe pastrim, por jo edhe për gatim dhe pije. Deri më tani rreth pesë mijë persona kanë kërkuar ndihmë në spitalin e Gostivarit për shkak të helmimit nga uji.
Samir Mustafa /SHENJA/
