Skandali në bashkinë e Kukësit, SPAK kërkon 4 vite e 6 muaj burg për Safet Gjicin
Sipas gazetares së Klan News Glidona Daci, SPAK ka relatuar konkluzionet përfundimtare për ish-kryebashkiakun e Kukësit Safet Gjici. Prokuroria e Posaçme kërkon 4 vite e 6 muaj burg për Gjicin si dhe 5 vite heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike. (Me gjykim të shkurtuar 3 vite burg për Gjicin)
Kujtojmë se ky i fundit u arrestua më 24 Qershor të vitit të kaluar i akuzuar për korrupsion pasiv, pas publikimit të një videoje me përmbajtje erotike, ku ish-kryebashkiaku kryente marrëdhënie intime me shtetasen, Alma Kaçi. Pas aktit seksual, ata diskutojnë në zyrë për një projekt që do të financohej nga Bashkia për izolimin e qenve endacakë në Kukës. Menjëherë më pas, Gjici thërret në zyrë një nga vartësit e tij që të merret me dokumentacionin që do i dorëzonte Kaçit.
Kaçi akuzohet për korrupsion aktiv dhe aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak. Mësohet se për Kaçin, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 1 vit e gjysmë heqje lirie. Seanca e radhës do të mbahet më 25 Janar.
/tvklan.al