
Skuadrat italiane në Champions, kërkojnë përmbysjen në ndeshjet e kthimit
Një gol i minutës së tretë e kishte vendosur sfidën mes Feyenoordit dhe Milanit. Skuadra holandeze e kishte fituar 1:0 ndeshjen e parë të plejofit të fazës nokaut të Ligës së Kampionëve, të zhvilluar të mërkurën e kaluar në Rotterdam.
Milani e Feyenoordi përballen të martën nga ora 18:45 në “San Siro”, në ndeshjen e kthimit të fazës së plejofit. Te skuadra me nam e Italisë synojnë përmbysjen e rezultatit dhe kualifikimin në një të tetën e finales së garës elitare evropiane. Nuk do të jetë lehtë për Milanin.
“Edhe nëse pësojmë gol nuk duhet ta humbim koncentrimin. Duhet të vazhdojmë të besojmë në atë që duam të bëjmë. Duhet të jemi të fokusuar që të fitojmë, pavarësisht se çka ndodhë”, ka thënë Tomori.
Ndeshja Milan – Feyenoord është e vetmja që luhet të martën nga ora 18:45.
Përmbysjen e rezultatit të ndeshjes së parë e kërkon edhe Atalanta, fituesja në fuqi e Ligës së Evropës. Atalanta e humbi ndeshjen e parë në Belgjikë nga Club Brugge me rezultatin 2:1. Skuadra belge golin e fitores e shënoi në minutën e 94-t.
Atalanta bëri hap të gabuar edhe në Serie A, duke luajtur pa gola në fundjavë me Cagliarin.
Të shtunën barazoi edhe Club Brugge, në kuadër të kampionatit belg. Luajti 2:2 me St. Truidenin. Ardon Jashari po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm te Brugge dhe pritet të startojë edhe në Bergamo.
Më afër një të tetës së finales vlerësohet të jetë gjiganti gjerman, Bayern Munich. Bayerni në ndeshjen e parë fitoi 2:1 në udhëtim ndaj Celticut skocez. Të shtunën Bayerni vuajti shumë në ndeshje me Leverkusenin, por megjithatë mori barazim të vlefshëm, pa gola.
“Celticu është paraqitur shumë mirë deri më tani në Ligën e Kampionëve. Kështu që mund të jetë gjithnjë kërcënim. Ne kemi fituar në ‘Celtic Park’ dhe morëm pikë në Leverkusen. Kur rezultatet janë të mira, ato të japin forcë shtesë. Dhe kjo duhet të na ndihmojë nesër mbrëma”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.
Në pozitë të mirë para ndeshjeve të kthimit është edhe Benfica, që fitoi 1:0 në udhëtim ndaj Monacos. Në ndeshjen në Lisbonë, ekipi portugez synon të konfirmojë kalimin në një të tetën e finales, por skuadra e Monacos udhëton po ashtu për kualifikim, ndonëse dështoi në takimin e parë.