Studentët ridorëzojnë kërkesën për provime shtetërore në gjuhën shqipe
Pas më shumë se dy vitesh nga dorëzimi i kërkesës së parë, iniciuesi i çështjes për të drejtën e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, Mevlan Ademi, së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, Besjan Rexhepi, kanë ridorëzuar kërkesë të re në Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas Ademit, këtë herë kërkesa nuk kufizohet vetëm te Provimi i Jurisprudencës, por përfshin edhe provimet për noterë, përmbarues, si dhe të gjitha provimet e tjera shtetërore që, sipas tij, vazhdojnë të organizohen vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve garanton përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
MEVLAN ADEMI, STUDENT
“Studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen. Duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për t’u certifikuar dhe për të ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet. Institucionet kanë detyrimin të zbatojnë ligjin, të jenë në shërbim të qytetarëve dhe të respektojnë gjuhën e një populli shtetformues”.
Ademi nënvizon se gjuha shqipe nuk është privilegj, por një e drejtë e garantuar me ligj.
Studentët kanë protestuar dy herë dhe kanë marrë shumë premtime nga pushtetarët, por ende nuk ka zgjidhje që provimet profesionale të jepen edhe në gjuhën shqipe. /SHENJA/
