Stuhia dëmton pronat, familja Rakipi kërkon ndërhyrje nga komuna
Era e fuqishme që goditi mbrëmë vendin la pas vetes dëme të dukshme materiale. Motit të rrëmbyeshëm nuk i rezistuan as objektet, as pronat e qytetarëve, të cilët sot po përballen me pasojat e një stuhie të fuqishme që goditi vendin. Në mesin e familjeve të prekura është edhe familja Rakipi, ku stuhia ka shkaktuar dëme në pronën e tyre. Për ta, nata e kaluar ishte një moment frike dhe pasigurie, ndërsa sot përballen me pasojat e motit ekstrem.
Qytetari Bajram Rakipi thotë se stuhia ka paraqitur rrezik të madh për familjen e tij, veçanërisht për shkak të dëmtimit të garazhit dhe pemëve të rrëzuara pranë banesës, nga ku ai thekson se kjo nuk është hera e parë që përballen me një situatë të tillë, pasi edhe më herët një pemë ishte rrëzuar duke i shkaktuar dëme në ballkonin e banesës së tij. Ai kërkon nga komuna që të intervenojë dhe të largojë drunjtë, pasi sipas tij ekziston rreziku për dëme edhe më të mëdha në rast të reshjeve të reja.
Bajram Rakipi
“Rreziku ka qenë shumë i madh po nuk kemi pasë ka banesa, rrezikun e kemi pasë ja ka garazha, garazha është e jemja, u ka dëmtu, mundet të jetë edhe më i madh rreziku, Allahu mos e bëftë që o tu u prit thonë edhe një rreshje. Kemi lajmëru në komunë, azgjë. Prej komunës presim që ti heqin këta drunj se mundet ndonjë dëm më i madh të bëhet, nuk është kjo e para, kjo është e dyta, ska prej komune azgjë”.
Rakipi thotë se për dëmet kanë njoftuar institucionet, por deri tani nuk kanë marrë ndonjë zgjidhje konkrete. Ai thekson se fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por shqetësimi për sigurinë vazhdon.
Bajram Rakipi
“Përgjigje do ti prejmë do ti bëjmë, ja janë duke e rregullu rrugën aty me beton të ecin me drita se di çka, çka të duhet ajo kur rrezikun e kemi të madh, këtu nuk jetohet këtu, kanë ardhë e kan pa, tash frik ishin, azgjë ende asnjë fjalë që do të bëhet. Në shtëpi jo, energji elektrike nuk kemi pasur por tash kemi, interneti është prishur edhe aty u lajmëruam, po do të vijmë, ka shumë punë se di çfarë, jo të lëndum nuk kemi elhamdulilah ajo kryesore e mirë, por këto që janë rrezik rrezik janë, a kush do të marrë përgjegjësi ende nuk e dimë vetëm komuna duhet atë”.
Tutje ai thotë se ende ndihen të rrezikuar, pasi pemët e dëmtuara pranë shtëpisë mund të shkaktojnë pasoja të tjera, veçanërisht në rast të reshjeve të reja. Ai apelon që institucionet të reagojnë sa më shpejt dhe të largojnë rrezikun, para se situata të përkeqësohet.
Anida Murati /SHENJA/
