Sulm para ambasadës izraelite në Beograd, policia vret sulmuesin
Një person është vrarë nga policia serbe pasi dyshohet se sulmoi me thikë një pjesëtar të xhandarmërisë që ruante ambasadën e Izraelit në Beograd.
Ministri në largim i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, e cilësoi ngjarjen si sulm terrorist. Sipas tij, incidenti ndodhi pak pas mesnatës, kur i dyshuari iu afrua efektivit me dy thika dhe e plagosi lehtë në fytyrë.
Pjesëtari i xhandarmërisë reagoi duke qëlluar ndaj sulmuesit, i cili humbi jetën. Ministria e Brendshme e përshkroi veprimin e policit si vetëmbrojtje.
Sipas deklaratës së Daçiçit, identiteti i të dyshuarit ende nuk ishte konfirmuar, ndërsa dyshohej se ai ishte nga qyteti i Shabacit.
Pas incidentit, autoritetet serbe ngritën në nivelin maksimal alarmin për kërcënimet terroriste, duke shpallur “alarmin e kuq”. Masat përfshijnë kontrolle të shtuara sigurie dhe përforcim të pranisë policore në objektet e ndjeshme, infrastrukturën kritike dhe vendet me grumbullime të mëdha njerëzish.
Autoritetet serbe e kanë cilësuar ngjarjen si terroriste, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rrethanat dhe motivet e sulmit.