Superkupa e Gjermanisë në të ardhmen do të mbajë emrin “Franz Bekenbauer Kup”
Tjetër nderim për legjendën e futbollit botëror, Franz Bekenbauer. Duke nisur nga sezoni i ardhshëm, Superkupa e Gjermanisë do të mbajë emrin e ish-kapitenit dhe dy herë Kampionit të Botës, i cili humbi jetën në fillim të këtij viti.
Sipas tabloidit gjerman “BILD”, edicioni i radhës i këtij kompeticioni do të quhet kupa “Kupa Franz Beckenbauer”. Superkupa zhvillohet çdo sezon pak para fillimit të kampionatit dhe vendos kampionin e Bundesligës me fituesin e Kupës së Gjermanisë. Nëse informacioni i “Bild” konfirmohet, më 16 gusht 2025 ndeshja do të zhvillohet për herë të parë me emrin “Franz Beckenbauer Cup”.
Të dielën, Bajern Munihu njoftoi tërheqjen e fanellës me numrin 5 në homazh të ikonës së klubit, i cili vdiq në moshën 78-vjeçare. I njohur si “Der Kaiser” (Perandori), Bekenbauer ishte fenomenal në vitet 1960-1970 duke luajtur në mbrojtje dhe qenë protagonist në shumë gola dhe suksese në fushën e lojës.
Ai fitoi shumë tituj me Bajernin, duke përfshirë tre Kupa Evropiane dhe Kupën Ndërkontinentale. Bekenbauer ishte për një kohë të shkurtër trajner i Bajernit në vitet 1990 dhe president i klubit nga 1994 deri në 2009. Ai fitoi Kupën e Botës si lojtar në 1974 dhe si trajner në 1990 dhe ishte ambasador i Kupës së Botës 2006 në Gjermani.
78-vjeçari mori edhe çmime të rëndësishme individuale, ku bien në sy dy “Topa të artë”, në vitin 1972 dhe 1976. Gjithashtu ai ka fituar një Kampionat Europian, 5 Bundesliga, 4 Kupa gjermanie, për t’u përfshirë edhe në mesin e lojtarëve më të mirë në historinë e futbollit botëror.