Sveçla: Morëm helikopter me qëra për ta transferuar Pantiqin, Komandanti i KFOR’it s’lejoi-s’jemi plotësisht sovran
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sonte në një paraqitje televizive ka folur për arrestimin e ish- policit të Kosovës, Dejan Pantiq.
Ai ishte arrestuar më 10 dhjetor të vitit 2022 në pikë kalimin kufitar në Jarinje në veri të Kosovës, pasi dyshohet se kishte organizuar sulmin terrorist në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë.
Për shkak të barrikadave të vendosura në komunat veriore, Pantiq ishte e pamundur që të transferohej nga pika e kalimit kufitar e të vendosej në qendrat e paraburgimit.
Në lidhje me këtë Sveçla ka deklaruar se ish komandanti i KFOR-it në Kosovë, Angelo Michele Ristuccia nuk ia kishte lejuar Kosovës transferimin e Pantiq nga PPK Jarinje në burgun e Mitrovicës.
“Angelo Michele Ristuccia mua ma ka ndal helikopterin privat me marr Pantiqin prej Jarinjes me dërgu në burgun e Mitrovicës”, ka thënë Sveçla.
I pyetur se a do të blejë Kosova një helikopter, Sveçla thotë se kanë plane për këtë, por shton se është edhe një problem për këtë.
“KFOR’i kontrollon hapësirën ajërore, do të thotë nuk jemi plotësisht sovran”, thotë ai.