
Takimi historik në Pekin, nga Putin, Kim Jong Un deri tek Vuçiç, ja kë ftoi Xi Jinping
AA
Pekini ishte sot qendra e vëmendjes botërore, teksa për herë të parë në historinë moderne u panë së bashku në një dalje publike tre nga liderët më të fuqishëm dhe kontroversë të botës: presidenti i Kinës, Xi Jinping, ai i Rusisë, Vladimir Putin, dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un.
Të tre morën pjesë në një paradë madhështore ushtarake të mbajtur në kryeqytetin kinez, me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Organizuar nga autoritetet kineze, kjo ngjarje u pa si një demonstrim force dhe uniteti nga vendet që sfidojnë dominimin perëndimor në arenën ndërkombëtare.
Në paradë ishin të pranishëm edhe liderë të tjerë nga vende aleate të Kinës, përfshirë:
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif
Presidenti i Vietnamit, Luong Cuong
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq
Presidenti i Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa
Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel
Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko
Në total, më shumë se 25 krerë shtetesh dhe qeverish iu bashkuan eventit, të cilët u pritën me ceremoni zyrtare dhe shtrëngime duarsh me presidentin kinez, Xi Jinping.
Një sinjal për Perëndimin?
Parada u cilësua nga analistët ndërkombëtarë si një mesazh i qartë për SHBA-në dhe aleatët e saj, në një kohë kur tensionet gjeopolitike janë të larta, veçanërisht në rajonet e Azisë dhe Evropës Lindore.
Ushtria kineze prezantoi teknologji të avancuar ushtarake, përfshirë dronë luftarakë, raketa hipersonike dhe sisteme mbrojtjeje të gjeneratës së re.
Ky bashkim i liderëve autoritarë në një skenë ndërkombëtare shihet si përpjekje për të ndërtuar një bosht të ri gjeopolitik, i cili rivalizon ndikimin e NATO-s dhe aleancave të tjera perëndimore.