
“Të frikësuar nga rregullat, kemi frikë të pimë ujë dy herë nga e njëjta gotë”
Rasti i pezullimit me 3 muaj i tenistit italian Janik Sinner, që bëri një marrëveshje me WADA (Agjencinë Ndërkombëtare Antidoping) për shkak se doli pozitiv me një sasi të papërfillshme, ka bërë që mjaft tenistë të jenë në mëdyshje në lidhje me rregullat.
“Unë jam vërtet e frikësuar nga kjo që po ndodh përreth nesh“, tha tenistja bjelloruse Aryna Sabalenka, numri 1 në botë për femra.
“Nëse më parë nuk e kisha problem të lija gotën me ujë dhe të shkoja në tualet në një restorant, tani nuk pi më nga e njëjta gotë”, shtoi Sabalenka.
“Nëse dikush ka përdorur një krem mbi ty dhe rezultoi pozitiv, ata do të të sulmojnë dhe nuk do të të besojnë se jemi të pafajshëm ose diçka të tillë. Në thelb, ti frikësohesh shumë nga sistemi antidoping që është ngritur, pasi mund të penalizohesh për hiçgjë apo për faj të të tjerëve”, shtoi Sabalenka.
Në këtë temë ka reaguar edhe tenisti rus Daniil Medvedev.
“Është një temë që mund të diskutohet me orë të tëra. Shpresoj që e njëjta gjë mund të ndodhë në të ardhmen, se është një precedent dhe të gjithë mund të bëjnë të njëjtën gjë. Përndryshe rrezikon të bëhet një situatë e çuditshme. Shpresoj që tenistët të kenë të njëjtin trajtim,” tha mes tjerash Medvedev.