Teo Hernandez: Ndeshje e rëndësishme ndaj Leverkuzenit, tani jam gati 100 %
Me golin kundër Leçes, Teo Hernandez barazoi Paolo Maldinin (29 gola), si mbrojtësi i Milanit me më shumë gola të shënuar në historinë e Serisë A. Në profilin e tij në “Instagrama”, mbrojtësi ka ndarë këtë arritje me ndjekësit, teksa komenti i parë ka qenë pikërisht ai i Maldinit, i cili i ka theksuar se këta gola janë shënuar në pesë sezone, ndërkohë që atij vetë i ishin dashur thuajse 30. Batuta dhe elozhe që nuk e heqin vëmendjen e Teos nga sfida kundër Leverkuzenit.
“Më në fund ‘Teao’ u rikthye. Në ndeshjet e para nuk ishim 100 për qind mendërisht dhe fizikisht. Tani ndihem mirë që është gjëja më e rëndësishme. Asisti i Leaos ishte fantastike, pastaj shënova një gol edhe më të bukur (qesh). Jam i lumtur sepse fituam. Tani na pret Leverkuzeni. Me Liverpulin nuk kishim siguritë që dëshironim. Tani na pret një ndeshje shumë e vështirë, duhet të rikuperojmë disi fizikisht dhe duhet të stërvitemi mirë për të arritur në formë të mirë për atë ndeshje shumë të rëndësishme.”