“800 ushtarë serbë në Kupaunik” – deputeti alarmon për një sulm terrorist: Ky është qëllimi i Serbisë pas kërcënimeve!
Serbia e cila së fundmi po armatoset edhe me avion luftarak, po vazhdon kërcënimet në vazhdimësi ndaj Kosovës.
Pas këtyre kërcënimeve të krerëve serbë, si dhe pas sulmit terrorist që ndodhi vitin e kaluar në Banjskë, edhe krerët e shtetit në Kosovë, kanë alarmuar në vazhdimësi për kërcënimet serbe.
Së fundmi, edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci është shprehur se ka rrezik të përsëritet një sulm terrorist sikur ai i Banjskës.
Deputeti thotë se janë rreth 600 apo 800 ushtarë, me mbi 40 baza ushtarake që po stërviten dhe janë në pritje për një vendim për të hyrë në Kosovë.
Megjithëse, ai shton se Kosova për një sulm të tillë, është më se e përgatitur.
“Unë mendoj se ka rrezik, dhe se ata 600 ushtarë, apo më shumë, profesionistë që po ushtrohen në Serbi, dhe kjo duhet të merret seriozisht. Nuk është rastësi që kanë ardhur zyrtarë të lartë të shtetit, të cilët ia kanë tërhequr vërejtjen dhe Serbisë, nëse hynë e kanë fajin ata. Ata janë profesionistë, që po presin vendimin për të hyrë në Kosovë, për ta aneksuar veriun. Edhe kryeministri ka informacione se ka disa grupe që po ushtrohen për këtë çështje. Nëse janë 600 apo 800, janë numër i madh që mund të na krijojë probleme, megjithëse ne jemi të përgatitur, pasi dhe institucionet e Kosovës e kanë marr me seriozitet këtë kërcënim. Ata janë në Kupaunik, janë mbi 40 baza”.
Për këto deklarata të deputetit të LVV-së, ka folur juristi dhe analisti politik prof. Blerim Burjani.
Ai thotë se nuk ka rrezik real, mirëpo ka simunlime serbe dhe ideja është për të mbajtur tensione në rajon.
Sipas tij, ideja serbe është që të arrij asociacionin apo shtet të vogël brenda Kosovës.
“S’ka rrezik real, fiktive po, simulimet serbe gjithmonë janë të pranishme. Ideja është me mbajtë në tension rajonin, pra ideja me tensione që të arrijë një asociacion të vogël, apo shtet të vogël serb në Kosovë. Kjo nuk po mund të bëhet, prandaj Serbisë i konvenon kërcënimi i vazhdueshëm dhe i pandalshëm”, thotë Burjani.
Ai pohon se, NATO po bën ushtrime dhe ka rregullat e saj.
“Paqja do të mbrohet në Ballkan, pa lëkundje. Tash gjendja në Lindje të Mesme është bërë problem i madh, përderisa lufta në Ukrainë s’po ndalet, paqja botërore po kërcënohet me gjithëçka, por kjo nuk do të zbraps NATO-n nga reagimi energjetik i saj në çdo cep të Evropës dhe kudo që ka interesa”, përfundon juristi Blerim Burjani. Marrë nga: BOTASOT