Thaçi: Duhet që edhe “shallteri” (sporteli) të funksionojë në dy gjuhë
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka folur për çështjen e provimit të jurisprudencës në shqip në Maqedoninë e Veriut, duke u ndalur edhe te Ligji për përdorimin e gjuhëve. Ai tha se do ta marrë seriozisht Ligjin për përdorimin e gjuhëve, atëherë kur zbatimi i saj të ketë plan të qartë financiar nga Ministria e Financave, përcjell TV21.
Sipas Thaçit, për implementimin e plotë të ligjit nevojiten 470 milionë euro.
“Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, për mua, do të jetë serioz atëherë kur ta shoh planin financiar për realizimin e tij nga ana e Ministrisë së Financave. Sipas analizave të bëra nga ekspertët e PDSH-së, nevojiten 470 milionë euro për implementimin e këtij ligji. Kjo përfshin përgatitjen dhe shkollimin e kuadrove, seminaret, diplomat, vulat dhe të gjitha nevojat e tjera për personat që janë të përgatitur. Dhe po e përmbyll: duhet që edhe sporteli të funksionojë në dy gjuhë. Jo që unë, si shqiptar, të flas në dy gjuhë”, tha Thaçi.