Thirrja e federatës zvicerane për tifozët para ndeshjes me Serbinë, përmenden flamujt
Federata e Futbollit e Zvicrës ka lëshuar një njoftim për tifozët zviceranë që do të jenë të shtunën në ndeshjen ndaj Serbisë në Leskovc.
Rreth 70 tifozë të Zvicrës pritet të jenë në qytetin e vogël të Serbisë. Ndeshja e Ligës së Kombeve fillon në ora 20:45.
Ndër të tjera, federata zvicerane ka njoftuar se vetëm flamujt e Serbisë dhe Zvicrës lejohen në stadium.
Mbetet të shihet nëse autoritetet serbe do të lejojnë flamuj me përmbajtje provokuese ndaj Kosovës, që me shumë gjasë do t’i sjellte dënim federatës serbe nga UEFA.
“Është interes i madh i federatës serbe, por edhe i federatës zvicerane të futbollit, që ndeshja të luhet pa asnjë ndërhyrje. Rrjedhimisht përmbajuni nga provokimet politike dhe bëni pjesën tuaj për të siguruar që ndeshja të mbahet mend vetëm për sport”, shkruan në thirrjen e Federatës së Futbollit të Zvicrës për tifozët e saj.
Në qendër të vëmendjes do të jetë kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka.