
Tjetër goditje për Albin Kurtin! Zbardhet vendimi i sotëm
Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, pasi asnjë nga kandidaturat e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje nuk mori votat e nevojshme. Kjo është tentativa e radhës pas 54 dështimeve të mëparshme për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Dështimi i dy kandidaturave
Lëvizja Vetëvendosje propozoi fillimisht Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por ajo mori 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenime, duke mos arritur shumicën e nevojshme.
Më pas, Vetëvendosje propozoi Donika Gërvallën, por edhe kandidatura e saj dështoi me të njëjtin rezultat: 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenime.
Pas kësaj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e mbylli mbledhjen dhe caktoi datën 22 gusht, në orën 11:00, si seancën e ardhshme.
Presion nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenca
Ky dështim vjen pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të bëhet me votim të hapur dhe se një kandidat mund të votohet vetëm deri në tre herë.
Edhe Presidenca e Kosovës ka reaguar, duke e konsideruar konstituimin e institucioneve si një “urgjencë shtetërore”. Përmes një deklarate për mediat, Presidenca theksoi se në këtë periudhë sfidash globale, është jetike për stabilitetin dhe përfaqësimin demokratik që institucionet e reja të formohen sa më shpejt.