Trajanov: Maqedonia ka ngecur në rrugën evropiane për shkak të dështimeve diplomatike
Lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, ka komentuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë, duke vlerësuar se vendi për dekada me radhë ka qenë peng i, siç i quajti ai, “dogmave të rreme politike”.
Trajanov kujtoi periudhën kur, sipas tij, promovohej narrativa se rruga drejt Bashkimit Evropian kalonte ekskluzivisht përmes Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
“Sot, sipas të gjithë parametrave relevantë, Maqedonia ka orientim të qartë strategjik dhe është lider bindës sa i përket reformave në terren. Progresi ynë reformues është shumë përpara Shqipërisë, Serbisë dhe Malit të Zi”, deklaroi Trajanov.
Ai bëri krahasim edhe me vendet që aktualisht konsiderohen si prioritet nga Brukseli, duke theksuar se është e pakuptimtë që Maqedonia të krahasohet me Moldavinë dhe Ukrainën.
Sipas tij, vendi është “vite dritë përpara” këtyre shteteve për nga gatishmëria institucionale dhe harmonizimi me legjislacionin evropian.
Trajanov vlerësoi se problemi kryesor për ngecjen e procesit eurointegrues qëndron te dështimet strategjike në diplomaci. Ai theksoi se Maqedonia nuk ka arritur të ndërtojë partneritete të fuqishme me shtetet që marrin vendimet kryesore politike në Bruksel.
“Çelësi i suksesit tonë qëndron në Berlin dhe Paris, si dy qendrat më të fuqishme evropiane. Për të përshpejtuar integrimin, nevojitet mbështetja e njërit prej këtyre vendeve që mund të thyejë shantazhet dypalëshe. Deficiti diplomatik i qeverive të mëparshme bëri që Maqedonia të mbetej e vetmuar”, tha Trajanov.
