Vazhdon mbledhja e nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal, nismën e mbështesin edhe deputetët e PDK-së
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po vazhdon edhe sot (e enjte) aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në Prishtinë, në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Nismën e mbështetën edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Në mesin e deputetëve që nënshkruan nismën e IKD-së, janë Vlora Çitaku, Blerta Deliu-Kodra, Arian Tahiri, Ariana Musliu-Shohi, Artan Behrami, Sala Jashari, e të tjerë.
Ditë më parë, nismës iu bashkuan edhe Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, deputeti Elmi Reçica, ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Dakaj, dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi, etj.
Ndryshe, IKD zhvilloi aktivitetin edhe në komuna të tjera të vendit. Më 28 dhe 29 korrik, IKD qëndroi në Gjakovë, ku krahas qytetarëve të shumtë, nismën e mbështeti edhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, duke e nënshkruar atë.
Kurse, më 30 dhe 31 korrik, aktiviteti u zhvillua në qytetin e Prizrenit, në të cilin vend nisëm e mbështeti edhe kryetari i kësaj komune, Shaqir Totaj.
Më 5 gusht aktiviteti vazhdoi në Pejë, e të cilin e nënshkroi edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxhiri. Më pas, më 11 gusht aktiviteti vazhdoi në Ferizaj.
Për procedimin e nismës në Kuvend nevojiten të paktën 10 mijë nënshkrime të qytetarëve.