Vendimi amerikan për furnizimin e Kosovës me armë, Vuçiq: Ky lajm është një zhgënjim i madh për Serbinë
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, është takuar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq me të cilin ka biseduar për vazhdimi i dialogut me Kosovën dhe ngjarjet aktuale gjeopolitike.
Me këtë rast, ambasadori Hill e ka njoftuar presidentin Vuçiq për vendimin amerikan për ta furnizuar Kosovën me raketa anti-tank FGM-148 “Javelin”.
Siç ka thënë ambasadori Hill, Departamenti i Shtetit do ta dërgojë këtë kërkesë në Kongresin Amerikan, me çka fillon procedura zyrtare për furnizimin e Kosovës me këtë armatim.
Vuçiq tha se ky informacion është një zhgënjim i madh për Serbinë, por se së bashku me SHBA-në do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane, shkruan Danas.
“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, tha Vuçiq, thuhet në komunikatë.
Vuçiq më herët ka shkruar në Instagram se ka pasur një bisedë të hapur me ambasadorin Hill për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve politike dhe ekonomike serbo-amerikane.
“Ne diskutuam edhe për pozicionin ndërkombëtar të Serbisë, situatën në Kosovë M. dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe për ngjarjet aktuale gjeopolitike. Konfirmuam përkushtimin tonë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”, ka shkruar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.