(VIDEO) Gjashtë të dyshuar për botoks fals në paraburgim
Gjykata Penale ka caktuar masë paraburgimi efektiv për gjashtë persona të dyshuar për botoksin dhe fillerët e falsifikuar që u janë injektuar pacienteve në Maqedoninëë e Veriut. Katër personave u është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa nëntë të tjerë morën masa kujdesi.
Ndërkohë, kompanitë e sektorit të shëndetësisë pranë Lidhjes së Odave Ekonomike, kërkojnë hetim transparent dhe 0 tolerancë për praktike jolegale medicinale. Ata dënojnë fuqimisht të gjitha akuzat dhe veprimet që tregojnë kryerjen e mundshme të trajtimeve të paligjshme mjekësore.
Lidhja e Odave Ekonomike të Maqedonisë
“Këto veprime, nëse vërtetohen nga institucionet kompetente, përfaqësojnë shkelje të rëndë të etikës mjekësore, një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin e pacientëve dhe një minim të rëndë të besimit në sistemin e kujdesit shëndetësor”.
Për rastin është deklaruar edhe Ministria e Shëndetësisë. Ata shpehen se çdo veprim në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe standardet mjekësore do të jetë subjekt i procedurave përkatëse institucionale, në bashkëpunim me organet kompetente.
Ministria e Shëndetësisë
“Apelojmë që të respektohen në mënyrë konsekuente normat profesionale dhe etike. Apel për qytetarët është që të përdorin shërbime vetëm nga ofrues të autorizuar dhe të licencuar të kujdesit shëndetësor. Njëkohësisht, rikujtojmë parimin e prezumimit të pafajësisë”.
Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit njoftoi se janë arrestuar 14 persona, përfshirë mjekë nga spitali “8 Shtatori” dhe Klinika e Dermatologjisë, si dhe pronarë ordinancash private dhe bashkëpunëtorë të tyre. Sipas njoftimit të Prokurorisë ekziston dyshim i bazuar se personat janë të përfshirë në vepra penale si “bashkim kriminal”, “shkelje e të drejtave të pronësisë industriale”, “përdorim i paautorizuar i firmës së huaj” dhe “marrje ryshfeti”. Në kallëzim përfshihen edhe gjashtë kompani.
Gjatë vitit 2026, shtatë të dyshuar formuan dy grupe kriminale me qëllim përfitimi të paligjshëm, duke përdorur kompani si mbulesë për aktivitetet e tyre. Ata siguruan produkte të falsifikuara nga Serbia, Koreja dhe Turqia, të cilat i futën ilegalisht në vend për t’i shpërndarë dhe përdorur tek persona të tjerë.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/