(VIDEO) Gjykata cakton masën e paraburgimit për ish-kreun e FFM-së, Muamed Sejdini
Gjykata Themelore Penale e ka pranuar propozimin e Prokurorisë për caktim të masës së paraburgimit për ish kryetarin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë Muhamed Sejdinin, i cili dyshohet për zhvatje të fondeve të UEFA-s.
Siç bëjnë me dije nga Gjykata, masa e paraburgimit është caktuar për shkak të rrezikut nga arratisja dhe mundësisë që të ndikoj te dëshmitarët.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore publike njoftoi se ka nisur hetim nën dyshimin për përvetësim të parave në shërbim. Në komunikatën dërguar mediave, thuhet se ish kryetari i FFM-së në periudhën nga nëntori deri në dhjetor 2024, ka siguruar përfitim pasuror të paligjshëm prej rreth 660 mijë eurosh për një person juridik nga Shkupi.
Prokuroria Themelore Publike
“Me mbështetjen financiare të UEFA-s në kuadër të programit ‘HatTrick VI’, i dyshuari ka filluar procedurën për zbatimin e projektit për ndërtimin e tribunës në stadiumin ‘Biljanini Izvori’ në Ohër dhe ka dhënë propozim për fillimin e procedurës për zgjedhjen e kompanisë për realizimin e projektit”
Pas miratimit nga Bordi Drejtues shtojnë më tej, i dyshuari ka paraqitur kërkesë deri te tri firma për oferta për ndërtimin e tribunës së stadiumit, ku është zgjedhur oferta më e favorshme në vlerë të përgjithshme prej rreth 3.3 milionë eurosh pa TVSH.
Pa u kërkuar nga kontraktuesi, ai ka futur një kusht shtesë në kontratën e nënshkruar me firmën e përzgjedhur për një pagesë avansi në vlerë prej 20% të vlerës së përgjithshme të kontratës para fillimit të punimeve dhe më 17 dhjetor 2024, mjetet financiare në vlerë prej rreth 660 mijë eurosh që i ishin besuar në shërbim, me urdhër të tij, i ka transferuar si avans te personi juridik.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/