(VIDEO) Kosta: Angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real
Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të udhëtojë për në Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme, nga 1 deri më 5 qershor, për t’u takuar me udhëheqësit nga rajoni dhe për të bashkëkryesuar Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, të Malit të Zi, më 5 qershor. Presidenti Costa do të diskutojë mundësitë dhe sfidat rreth zgjerimit, integrimit gradual, bashkëpunimit rajonal, sigurisë dhe stabilitetit.
ANTONIO COSTA, PRESIDENT I KËSHILLIT EUROPIAN
“Turneu im i dytë në Ballkanin Perëndimor dërgon një sinjal të qartë: angazhimi i BE-së ndaj rajonit është real; po aq real sa edhe mundësia për zgjerim. Momentumi është aty. Tani është koha për të dhënë rezultate”
Presidenti Costa do të vizitojë gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor, duke filluar në Sarajevë të hënën, më 1 qershor. Të martën, më 2 qershor, presidenti Costa do të jetë në Tiranë, pastaj do të vizitojë Shkupin. Të mërkurën, më 3 qershor, presidenti Costa do të shkojë në Prishtinë, ndërsa të enjten, më 4 qershor do të vizitojë Beogradin. Turneu do të përfundojë në Mal të Zi.
Më 5 qershor, Presidenti Costa do të bashkë-kryesojë Samitin BE-Ballkan Perëndimor. Tema qendrore e këtij samiti është “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”. Presidenti Costa do të mbajë konferenca për shtyp në të gjitha qytetet që i viziton.
/SHENJA/
